Tirana ka mirëpritur organizimin e seminarit 3-ditor të platformës ndërkombëtare “eTwinning” me në fokus kryesor shkëmbimin e përvojave në kushte pandemie për mësuesit e arsimit fillor dhe atij të mesëm të ulët. Në këtë aktivitet ku marrin pjesë mësues nga 14 shtete të ndryshme të botës, mësuesit kanë një mundësi konkrete për të ndërvepruar me kolegët e tyre nga vendet e tjera dhe duke u përfshirë në diskutime cilësore që kanë në thelb aftësimin digjital në mësimdhënie përmes nismave të ndryshme dhe teknologjisë së informacionit (TIK).

E pranishme në këtë organizim ishte edhe Ministrja e Arsimit, Sportit dhe Rinisë Znj. Evis Kushi, e cila në fjalën e saj përshëndetëse theksoi rëndësinë e veçantë që ky seminar 3-ditor ka për zhvillimin profesional të mësuesve, shkëmbimin e përvojave dhe bashkëpunimin në projekte të ndryshme kurrikulare.

Ajo theksoi se zhvillimi profesional i mësuesve është prioritet madhor i ministrisë që ajo drejton, duke cilësuar se: “Pavarësisht të gjitha vështirësive e problemeve me të cilat u përballëm gjatë situatës së pandemisë, ne asnjëherë nuk e nënvlerësuam zhvillimin profesional të mësuesve, si dhe trajnimin e kualifikimin e tyre. Madje, akoma më shumë kemi punuar me partnerët tanë ndërkombëtarë që mësuesit të përshtateshin sa më shumë dhe sa më shpejt me kushtet e reja të pandemisë dhe mësimit “online”.

Në lidhje me platformën “e-Twinning”, Ministrja Kushi u shpreh është ajo tashmë një platformë shumë e mirë bashkëpunimi dhe kreativiteti. “Shqipëria është bashkuar në komunitetin e madh “eTwinning” që në vitin 2013, dhe sot ne kemi rreth 5,500 mësues nga 1,200 shkolla të ndryshme të vendit, të cilët janë përfshirë në këtë projekt”, tha ajo. Në fund, Znj. Kushi nënvizoi se paralelisht me fuqizimin dhe zgjerimin e mëtejshëm të projektit “eTwinning”, “ne do të punojmë gjithmonë për zhvillimin profesional të mësuesve. Do të jemi në mbështetje të mësuesve, sepse nxënësit tanë meritojnë më të mirën!”