Një Milan i madh në Serie A, gjithashtu duhet të konfirmohet në Ligën e Kampionëve. Atletico Madrid i “Cholo” Simeone mbërrin në San Siro për ndeshjen e dytë të grupit, pas humbjes së kuqezinjve ndaj Liverpool. Pioli, në konferencën për shtyp shpjegoi recetën për të fituar:

“Niveli është shumë i lartë dhe ne e pamë atë kundër Liverpool-it. Sigurisht, paguam për gabimet tona dhe ata na ndëshkuan. Duhet të luajmë thjeshtë, shpejt, të mos bëjmë gabime, sepse kundërshtarët në këtë nivel mund të të godasin në çdo moment. Niveli ynë duhet të ngrihet nga çdo pikëpamje, por përvoja e Liverpool-it do të na bëjë më të vëmendshëm dhe më të fortë.

Deri të shtunën, Atletico Madridi ishte i pamposhtur, ende mban pozitat e larta në La Liga. Spanjollët kanë ekip shumë të fortë, janë shumë solidë, me një trajner të sprovuar dhe lojtarë të nivelit të lartë, gati për të shfrytëzuar çdo gabim tonin të vogël. Nevojitet nivel shumë i lartë dhe vëmendje maksimale për të gjitha minutat e lojës. Ne po krijojmë përvojat tona dhe e përdorim çdo situatë për të bërë diçka më shumë, më mirë.