Legjenda braziliane Pele thotë se po e rimerr veten shumë mirë, pas operacionit për ta larguar tumorin nga zorra e trashë. Pele, 80-vjeçar, u pranua në spital javën e kaluar pasi testet zbuluan se ai kishte tumor në zorrën e trashë. Të hënën, ai konfirmoi në një postim në rrjetin social Instagram se ishte operuar për ta larguar tumorin.

Para operimit, tri herë fituesi i Kupës së Botës kishte thënë: “Do të përballem më këtë ndeshje me buzëqeshje në fytyrë, me shumë optimizëm dhe me kënaqësinë për të jetuar”. Tani ai ka postuar sërish dhe ka thënë se po e rimerr veten mirë pas operacionit, por ia kushtoi postimin mikut të vet të mirë dhe këngëtarit Roberto Carlos, të cilit i vdiq djali 52-vjeçar nga sëmundja e kancerit të mërkurën.

Pele është golashënuesi më i mirë në historinë e Brazilit dhe njëri prej futbollistëve të pakët që ka shënuar në katër Kupa të Botës.