Ministrja e Arsimit, Evis Kushi, tha se vendimi për kryerjen e mësimit në disa shkolla me turne, është marrë për shkak të udhëzuesit të Ministrisë së Shëndetësisë. “Një nga rregullat që duhet të zbatojmë në shkollat tona është edhe distanca fizike mes nxënësve. Në ato shkolla ku numri i nxënësve është i lartë, jemi të detyruar të zbatojmë turnet dhe klasa të mos ketë më shumë se 15 nxën2ës, pra të mos lejojmë që të ulen në një bankë 2-3 nxënës pasi rrezikohet përhapja e infeksionit”, tha ministrja pas mbledhjes së qeverisë.

Por ajo shtoi se ky nuk është vendim përfundimtar. “Nuk do të aplikohet për të gjithë vitin shkollor, por sipas situatës. Komiteti na ka sugjeruar që për momentin duhet zbatuar ky skenar. Shumë shpejt do të ketë vendim tjetër”, tha Kushi.

Ministrja shtoi se situata në javët dhe muajt e ardhshëm do të ndryshojë edhe për faktin se deri tani, sipas saj, 87% e mësuesve janë të vaksinuar, 71% me të dy dozat.