Përjashtimi i Sali Berishës nga grupi parlamentar i Partisë Demokratike me vendim të Lulzim Bashës ka qenë lajmi kryesor i këtyre ditëve në vendin tonë. Vendimi i kryedemokratit jo vetëm që shkaktoi debate të shumta brenda dhe jashtë partisë, por u kthye edhe në një burim për memet në rrjetet sociale. Faqe të ndryshme në Instagram, Facebook e Twitter kanë shprehur kreativitetin e tyre duke e veshur këtë ngjarje të rëndësishme politike me nota humori.

Mes shumë memeve, ka qarkulluar edhe një e cila paraqet Sali Berishën dhe Lulzim Bashën në emisionin “Dua të të bëj të lumtur” të Arbana Osmanit. Kjo meme ka bërë xhiron e rrjetit dhe mesa duket i është dërguar me qindra herë Arbanës, e cila ka reaguar në lidhje me këtë. Ajo ka publikuar memen në Instastory, duke shkruar:

“Po e publikoj që t’iu tregoj se po e kam parë dhe është shumë funny dhe nuk ka nevojë t’ma dërgoni më’.

Kujtojmë se një ditë para futjes në Kuvend, Lulzim Basha njoftoi se ka vendosur përjashtimin nga grupi parlamentar të Sali Berishës. Vendimi sipas Bashës është personal ndërsa theksoi se është në fuqi deri në përfundimin e procesit gjyqësor që vetë Berisha ka hapur kundër sekretarit amerikan të shtetit, Anthony Blinken, pas shpalljes së tij non-grata. Ish-kryeministri Sali Berisha e kundërshtoi këtë vendim dhe e quajti ‘nul’ ndërsa e akuzoi Bashën se ka dorëzuar sovranitetin e PD-së në duart e kryeministrit Rama.

/News31