Nga Plator Kalakulla, Drejtor i NATO ne MPJ/ Ndërsa janë ende të freskëta pamjet e tërheqjes së plotë të SHBA-ve dhe Perëndimit nga Afganistani më 31 gusht dhe ndërkohë që, siç është e natyrshme, vijojnë diskutimet dhe opinionet e ndryshme mbi modalitetet e kësaj tërheqje e kryesisht mbi efektet që ajo mund të ketë në politikën ndërkombëtarë, rikujtohen në mënyrë të përsëritur ngjarjet e njëmbëdhjetë shtatorit të vitit 2001, pra shtysa madhore e ndërhyrjes së atëhershme të SHBA-ve dhe Perëndimit në Afganistan. Në këtë kontekst, më rikujtohet përjetimi i njëmbëdhjetë shtatorit të njëzet viteve më parë ndërsa ndodhesha në NATO, si dhe i zhvillimeve të rëndësishme të cilat e pasuan atë ditë tragjike.
Nisi si një ditë fare e zakonshme pune në NATO-n e atëhershme, plotësisht të fokusuar në Ballkanin Perëndimor. Pak muaj më parë Aleanca Atlantike kishte luajtur një rol thelbësor në arritjen e Marrëveshjes së Ohrit në Maqedoni dhe aty vepronte ende operacioni i saj “Essential Harvest”. Paralelisht, që prej dy vitesh, NATO, nëpërmjet misionit të saj KFOR, garantonte paqen e sigurinë në Kosovë, ndërkohë që shikonte me interes fillimin e marrëdhënieve të saj institucionale me Serbinë, pas rrëzimit të Milloshevicit dhe pas rolit të rëndësishëm që Aleanca Atlantike kishte luajtur një vit më parë në qetësimin e konfliktit në luginën e Preshevës.
NATO po përgatitej për samitin e saj të radhës që do të mbahej një vit më vonë në Pragë dhe ku pritej një valë e qenësishme zgjerimi me vendet partnerë në Lindje. Njëkohësisht, ajo po punonte me Rusinë për të arritur një hap të ri cilësor në partneritetin me Moskën. Ndërkaq, të dhjetë vendet aspirante për anëtarësim, përfshirë dhe vendin tonë, po finalizonin planet e tyre kombëtare dhe po përcaktonin me zyrtarët e Aleancës kalendarin e takimeve institucionale që karakterizonin pjesëmarrjen në procesin e anëtarësimit në NATO.

Atë pasdite, në ambientet publike të selisë së NATO-s, u përballa me grupe njerëzish të mbledhur pranë ekraneve të televizorëve që dukeshin shumë të tronditur. Teksa vura re disa që qanin në heshtje mu deshën disa sekonda për të kuptuar atë që po ndodhte. Pastaj mbeta i ngujuar tek shihja shtjellimin e pamjeve tashmë të njohura të kullave binjake që digjeshin e që më pas shembeshin.

Ndërkohë që ishte e qartë që bëhej fjalë për një sulm të qëllimshëm, askush prej të pranishmëve nuk kishte si ta dinte se kush qëndronte pas tij, se sa ishte numri i viktimave apo se çdo të ndodhte më pas. Pak prej shikuesve mund të mendonin gjithashtu se ajo që po ndodhte ishte një moment përcaktues gjeopolitik që shënonte fillimin e një faze të re në politikën ndërkombëtare e që do të sillte në vitet që do të vinin shtimin eksponencial të rreziqeve të reja e të sfidave globale për sigurinë.

Në darkën e asaj dite, Ambasadorët e 19 vendeve të atëhershme anëtare të NATO-s u mblodhën në një takim të jashtëzakonshëm për të shprehur solidaritetin e vendeve aleate me SHBA-të dhe popullin amerikan. Siç u deklarua pas takimit, nëse do të përcaktohej se sulmi kundër SHBA-ve ishte drejtuar nga jashtë territorit amerikan, ai do të konsiderohej nga NATO si një veprim që hynte në suazën e Nenit 5 të Traktatit të Uashingtonit, nen ky që përcakton se një sulm i armatosur kundër një apo disa anëtarëve të NATO-s do të konsiderohet si një sulm kundër të gjithë aleatëve. U shtua gjithashtu se vendet anëtare ishin të gatshëm të ndërmerrnin veprimet e duhura, përfshirë edhe përdorimin e forcës. Të nesërmen, ndërkohë që flamujt e vendeve aleatë në hyrje të NATO-s u ulën në gjysmë shtize, Ambasadorët e vendeve partnere në NATO ju bashkuan kolegëve aleatë për të shprehur solidaritetin e tyre të plotë me SHBA-të dhe u zotuan se do të intensifikonin përpjekjet e vënëve të tyre kundër terrorizmit.

Kishte një tension të panjohur më parë në NATO gjatë atyre ditëve të zymta, më të prekshëm dhe më dramatik se ai që kisha perceptuar dy vite më parë, gjatë fushatës ajrore mbi ish-Jugosllavi. Si në media, ashtu dhe në bisedat private me kolegët amerikanë filloi të përmendej gjithnjë e më dendur përgjegjësia e rrjetit terrorist Al-Kaida dhe e regjimit obskurantist të talebanëve në Afganistan. Po ashtu, filloi të përvijohej edhe ideja e një ndërhyrje të fuqishme amerikane kundër atij regjimi.

Më 20 shtator, Zëvendës Sekretari amerikan i Shtetit vizitoi selinë e NATO-s për të informuar vendet aleate mbi çka SHBA-të kishin arritur të zbulonin deri në atë moment lidhur me sulmet terroriste të 11 shtatorit. Ai deklaroi se Presidenti Bush po punonte për krijimin e një koalicioni të madh ndërkombëtar me synim ndërmarrjen e një lufte globale kundër terrorizmit që nuk do të fokusohej vetëm kundër terroristëve dhe infrastrukturës së tyre në Afganistan. Nga ana e tij, Sekretari i Përgjithshëm i atëhershëm i NATO-s, Lordi Robertson, ritheksoi solidaritetin e plotë të Aleancës me Shtetet e Bashkuara si dhe vendosmërinë e saj për të kontribuar së bashku me anëtarët e tjerë të bashkësisë ndërkombëtare në luftën kundër terrorizmit.

Më 2 tetor, SHBA-të dërguan në NATO Koordinatorin për antiterrorizmin i cili e informoi në detaje Këshillin e Ambasadorëve të NATO-s mbi rezultatet e hetimeve amerikane për autorët dhe dinamikën e 11 shtatorit. Ambasadorët aleatë konkluduan se ishte tashmë e qartë se individët që kryen sulmet i përkisnin rrjetit terrorist të Al-Kaidës, të përkrahur aktivisht nga regjimi i talebanëve në Afganistan. Si rrjedhojë, meqë sulmet terroriste ishin nisur dhe drejtuar nga jashtë SHBA-ve, ato u konsideruan nga vendet aleate si një veprim që hynte në suazën e Nenit 5 të Traktatit të Uashingtonit. Për herë të parë në historinë e saj, Aleanca Atlantike aprovoi zyrtarisht aplikimin e mbrojtjes kolektive apo thënë ndryshe të nenit thelbësor të Traktatit të krijimit të saj. Ky vendim historik i Aleancës u bë publik pak pas takimit nga Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s. SHBA-të ndanë po atë ditë të njëjtin informacion me vendet partnere në një takim të veçante të Këshillit të Partneritetit Euro-Atlantik gjatë së cilit vendet partnere shprehën sërish solidaritetin e tyre të plotë me vendimin e marrë pak orë më parë nga vendet aleate.

Më 7 tetor 2001 forcat amerikane dhe ato britanike filluan fushatën e goditjeve ajrore kundër regjimit të talebanëve në Afganistan në kuadër të operacionit “Enduring Freedom”. Në ditët që pasuan, NATO aprovoi një seri masash të natyrës ushtarake në kuadër të nenit 5 të traktatit të Uashingtonit, më domethënësja e të cilave ishte dërgimi i avionëve tw saj radarë (AWACS) për të ndihmuar në mbikëqyrjen e hapësirës ajrore amerikane. Në dhjetor 2001, Këshilli i Sigurimit të Kombeve të Bashkuara mandatoi nëpërmjet Rezolutës 1386 krijimin e Forcës Ndërkombëtare të Ndihmës për Sigurinë (ISAF) me synim kryesor trajnimin e forcave kombëtare afgane të Sigurisë dhe ndihmesën e Afganistanit në rindërtimin e institucioneve kyçe qeveritare.

Pasi gjatë vitit 2002 një seri vendesh aleate si Kanadaja, Franca, Norvegjia, Gjermania, Turqia, Danimarka, etj., ju bashkuan ISAF-it, NATO mori në gusht të vitit 2003 drejtimin e këtij misioni. Në tetor të po atij viti, Këshilli i Sigurimit i OKB-së autorizoi zgjerimin e misionit ISAF të gjithë Afganistanin. ISAF u angazhua gradualisht në përballje të armatosur me talebanët dhe u shndërrua në një nga koalicionet luftarake më të mëdha të historisë. Në pikën e tij kulmore ai numëronte më së 130 mijë forca nga 51 vende anëtarë dhe partnere të NATO-s. Në dhjetor të vitit 2014, Misioni ISAF u quajt i përmbushur dhe përfundoi ekzistencën e tij. Ai u pasua nga misioni i NATO-s “Resolute Support”, shumë më i vogël në numër dhe me detyrë kryesore trajnimin dhe këshillimin e forcave kombëtare afgane të Sigurisë.

Vlen të theksohet se Shqipëria është një prej pjesëmarrësve më afatgjatë në misionet ISAF dhe RSM në Afganistan duke ju bashkuar misionit ISAF në korrik të vitit 2002. Kompleksivisht, më se 3000 ushtarakë shqiptarë kanë shërbyer në këto operacione të rëndësishme e të vështira të Aleancës Atlantike. Gjatë kësaj pjesëmarrje vendi ynë humbi fatkeqësisht ushtarakët Feti Vogli dhe Xhevahir Jazaj ndërkohë që disa ushtarakë të tjerë shqiptarë u plagosën.

Gjatë këtyre njëzet viteve është folur dhe shkruar shumë për influencën e njëmbëdhjetë shtatorit mbi shoqërinë dhe politikë bërjen amerikane dhe atë ndërkombëtare. Mund të thuhet se ajo ditë tragjike i ndryshoi SHBA-të ndofta më shumë se sulmi japonez i Pearl Harbour-it në dhjetor 1941. Ajo përmendet veçanërisht në kuadër të analizave që kanë të bëjnë me ndërhyrjen e vitit 2003 në Irak, krijimit të koalicioneve ad-hoc, apo vënies në diskutim të disa prej vlerave dhe lirive themelore që i kanë bërë tradicionalisht aq karakteristike dhe tërheqëse SHBA-të dhe vetë Perëndimin. Ndofta, njëmbëdhjetë shtatori i njëzet viteve më parë mbetet treguesi më gjurmëlënës i shfaqjes së dhunshme të rreziqeve të reja që karakterizojnë epokën tonë duke cënuar apo modifikuar qartësisë tona të deritanishme.