Ka lindur në Shqipëri fëmija i parë afgan nga një nënë 27-vjeçare. Ajo tashmë ka 6 fëmijë. E reja ka lindur në spitalin e Lezhës dhe mësohet se ajo dhe fëmija i porsalindur janë në gjendje të mirë shëndetësore. Duke ditur se afganët jetojnë në Shqipëri, prindërit e tij po mendojnë t’i vendosin fëmijës së tyre një emër shqiptar dhe Alban është një ndër të preferuarit.Mësohet se në spitalin e Lezhës janë të shtruara dhe gra të tjera që pritet të lindin.

Kujtojmë se prestigjozja amerikane New York Times ka publikuar një artikull kushtuar afganëve të strehuar në Shqipëri, teksa në intervista janë marrë disa prej tyre. Afganët shprehen mjaft të impresionuar nga mikpritja shqiptare dhe strehimi i tyre nëpër hotele lukzose me pishin a dhe me bregdetin afër. Ata gjithashtu e shohin Shqipërinë si një vend shumë pro amerikan, teksa përshtypje u bëjnë edhe gratë me bikini në plazhet tona dhe kjo u duket si parajsë. Wahab, një gazetar i cili ndihmoi drejtimin e një agjencie lajmesh të financuar nga SHBA, që mbulonte çështjet e grave në qytetin perëndimor afgan të Heratit, tha se ai kurrë nuk kishte pritur të shihte objekte të tilla luksoze. Ai u largua nga Afganistani me gruan dhe tre fëmijët e tij, me ndihmën e “National Endowment for Democracy”.

“Ne jemi refugjatë luksi”, bëri shaka ai. “Ne shkojmë në plazh dhe shohim gra gjysmë të zhveshura. Ne flemë, hamë dhe shkojmë në plazh. Për shumicën e njerëzve, kjo do të dukej si parajsë”, shton ai.