Ministrja e Arsimit dhe Sportit, Evis Kushi deklaroi sot “se 78% e nxënësve në të gjithë vendin po zhvillojnë mësim me një turn, ky vendim nuk është standard për të gjitha shkollat”.

Në një intervistë televizive Kushi theksoi se “vendimi për zhvillimin e mësimit me turne nuk është standard për të gjitha shkollat. Është udhëzuesi i Ministrisë së Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, i Komitetit Teknik të Ekspertëve baza ku ne marrim të gjitha vendimet për institucionet arsimore”.

Ministrja Kushi u shpreh se “i kuptoj prindërit për zgjatjen e mësimit. Por ky vendim nuk është përfundimtar, pra që do të zbatohet për të gjithë kohëzgjatjen e vitit mësimor”.

Sipas Kushit, distanca mes nxënësve duhet të respektohet në ato shkolla apo klasa ku numri i nxënësve është i lartë.

“Në periferi dhe në zona rurale dhe njësi administrative 78% e nxënësve zhvillojnë mësim në kushte normale 45 minuta. Ndërsa 6% e nxënësve kanë 4 turne ku shkollat janë të dëmtuara nga tërmeti dhe nxënësit janë të detyruar të bëjnë mësimin me 4 turne. Jemi të detyruar ta bëjmë 30 minuta, por mësuesi duhet të angazhojë jo më 35 nxënës, por 15 nxënës, ky reduktim i kohëzgjatjes së orës mësimore kompensohet me numrin e nxënësve”, nënvizoi Kushi.

Kushi u shpreh se “i mirëkuptoj prindërit, por do ti lutesha të na mirëkuptojnë se i marrim këto vendime për shëndetin e fëmijëve të tyre dhe të mësuesve”.

Lidhur me procesin e vaksinimit Kushi tha se “procesi i vaksinimi të mësuesve po shkon mjaftë mirë. Sot kemi 87% të mësuesve që janë të vaksinuar, 71% janë të vaksinuar me dy doza, pjesa tjetër ka marrë dozën e parë”.

“Nuk më është raportuar deri tani nga asnjë institucion arsimor të mësuesve që refuzojnë të vaksinohen. Rastet e mësuesve që nuk janë vaksinuar ende janë raste ose që kanë kaluar muajt e fundit ose javët e fundit COVID-19, ku vetë mjeku i familjes dhe Instituti i Shëndetit Publik sugjeron që të mos bëhet vaksina menjëherë, ose janë rastet kur kanë sëmundje të tjera shoqëruese”, – tha Kushi.

Por, vijoi Kushi, nëse do të kemi raste kur mësuesit do të refuzojnë të bëjnë vaksinën duhet testi PCR në mënyrë periodike çdo javë.

E pyetur në rast se përkeqësohet situata e pandemisë, Kushi tha se “ne i kemi parashikuar të gjithë skenarët edhe për mësimin me prezencë fizike 100% të nxënësve apo mësimin e kombinuar . Shpresoj që me vaksinimin masiv të mësuesve nuk besoj se do shkojmë në skenarin e mësimit online”.

Sa i përket ndërtimit dhe rikonstruksionit të shkollave të dëmtuara pas tërmetit Kushi tha se “151 shkolla dhe kopshte janë përfshirë në programin e rindërtimit, 68 tashmë janë të përfunduara dhe kanë hyrë nxënësit. Janë shkolla me standarde bashkëkohore, janë me ashensor, me akses për nxënësit me aftësi të kufizuar, laboratorë, biblioteka, fusha sportive etj”.