Në prag të nisjes së vitit të ri shkollor, kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj zhvilloi një takim me administratorët e shkollave nga ku dha disa lajme të mira. Veliaj tha se vetëm këtë vit janë hapur 10 shkolla të reja, teksa nënvizoi që semestrin e dytë do të hapen edhe 10 të tjera.

“Kemi disa lajme të mira këtë vit. Do të jetë një vit që do të hyjë në historinë 101-vjeçare të Tiranës, si viti ku janë hapur më shumë shkolla të reja. Ne jemi mësuar gjithmonë çdo vit, shtatori ka qenë një muaj feste hapej 1 ose maksimumi 2 shkolla të reja. Por këtë herë hapen 10 shkolla të reja, edhe semestrin e dytë do hapen edhe 10 të tjera. Pastaj do i themi lamtumirë mësimit me dy turne në Tiranë”, sqaroi Veliaj.

Kryebashkiaku bëri me dije se cilat janë 10 shkollat e reja që hapen për të mirëpritur nxënësit këtë vit të ri shkollor: “Shkollat e reja që ne do të hapim në Tiranë janë; shkolla 9-vjeçare në Mangull “Feti Fanaj”; shkolla 9-vjeçare “Murat Toptani”, një shkollë fantastike që është trefishuar, shkolla 9-vjeçare “Hasan Vogli” që është te Njësia 9, shkolla 9-vjeçare në Pezë Helmës që do të quhet “Agron Hysenlliu” për nder të drejtorit të Insitutit të Ndërtimit që humbi jetën prej Covidit që ishte autor, bashkautor dhe krijues i gjithë kësaj energjie për ndërtimet e reja mbas tërmetit. Shkolla tjetër në Pezë të Vogël, shkolla tjetër “Qazim Turdiu” gjithashtu në Njësinë 9, 2 herë më e madhe seç ishte për të eliminuar mësimin me dy turne. Po vazhdon ndërtimi i shkollës “Lasgush Poradeci” në Kombinat, shkolla 9-vjeçare që është bashkë me një gjimnaz “Vaçe Zela” dhe “Kristo Frashëri” në Don Bosko. Kemi edhe dy parashkollorë, një në fshatin Fikas dhe tjetra është në Bllok “Sani Hill” ajo që inauguruam me Dua Lipën tani edhe me mobilimin edhe gati për të pritur fëmijët”.