‘Lufta’ mes kreut të PD-së Lulzim Bashës dhe ish-liderit të kësaj force, Sali Berishës vijon të mbajë të përçarë demokratët, që tashmë duket se janë ndarë në dy kampe. Ish-nënkryetari i FRPD, Lisandër Hoxha, i cili ka dalë hapur në mbështetje të Berishës, ka akuzuar sot Bashës se po i vë në tavolinë kryeministrit Edi Rama mandatin e dhënë nga demokratët.

Pas ‘betejës’ së nisur nga Berisha, Hoxha thotë se Basha do të shkarkohet nga posti i kreut të PD dhe se pas kësaj do të krijojë partinë “Republika e Re”. Sipas ish-nënkryetarit të FRPD, e vetmja rrugë shpëtimi për Bashën, do të jetë bashkëqeverisja me Ramën.

“Pengu Basha paska në plan të krijojë partinë Republika e Re, pas shkarkimit! E vetmja rrugë shpëtimi për të mbetet bashkëqeverisja, përmes së cilës mendon se do ushqejë egon e oportunistëve me disa poste. Për herë të dytë i vendos Ramës në tavolinë mandatin e dhënë nga demokratet. Shpërdorimi i mundit të opozitarëve për 8 vite nuk do të ketë kurrë sukses. Fundi i Pengut Bashë do të jetë turpi!”, shkruan ai.

Pas përjashtimit nga Grupi Parlamentar i PD-së, Berisha ka nisur një tur takimesh me demokratët në të gjithë vendin, me shpresën për të bindur demokratët se SHBA dhe Lulzim Basha e kanë gabim dhe ai është përjashtuar nga grupi i PD dhe shpallur ‘non grata’ nga DASH padrejtësisht. Megjithatë Basha ka bërë të qartë se nuk do të ketë mbledhje të Kuvendit të PD që shqyrton vendimet e SHBA, referuar këtu përjashtimit të ish-kryeministrit, pas shpalljes ‘Non Grata’.