Zëvendësministri i Brendshëm, Julian Hodaj priti një delegacion të Ministrisë së Brendshme dhe Policisë së Republikës Çeke, kryesuar nga Zëvendësministri i Punëve të Brendshme, Jiří Nováček dhe Presidenti i Policisë, Jan Švejdar. Zëvendësministrat vlerësuan pozitivisht marrëdhëniet mes dy vendeve, si në rrafshin politik, ku Republika Çeke është një mbështetëse e vazhdueshme e anëtarësimit të Shqipërisë në Bashkimin Evropian, por edhe në aspektin e bashkëpunimit institucional dhe atij policor.

Zëvendësministri Hodaj kërkoi thellimin dhe zgjerimin e bashkëpunimit krahas angazhimit të deritanishëm të Republikës Çeke në misionin e FRONTEX në Shqipëri, në mbështetjen e Policisë Rrugore, modernizimin e Institutit të Policisë Shkencore dhe vijimin e patrullimeve të përbashkëta gjatë sezonit turistik. Zëvendësministri Nováček konfirmoi qëndrimin e palëkundur të Republikës Çeke në mbështetje të Shqipërisë në rrugën drejt integrimit evropian si dhe gatishmërinë për të intensifikuar bashkëpunimin mes dy institucioneve dhe forcave policore përkatëse.

Palët u angazhuan për vijimin e shkëmbimeve dypalëshe, në të gjitha nivelet politike e teknike.