Zamira Durda e cila humbi djalin e saj në tragjedinë e Gërdecit, mezi e ka pritur vendimin e Gjykatës së Posaçme të Apelit për të rihapur këtë dosje dhe për të rigjykuar ish-ministrin e Mbrojtjes Fatmir Mediu.

“Është një vendim i pritshëm dhe i kënaqshëm, kisha kaq vite që prisja, por gjithsesi ka ende shumë pengesa të tjera për të arritur atë që kërkoj. Ka hapa të tjerë për të vijuar kjo histori. Do kthehet dhe njëherë tjetër në SPAK, do ketë tjetër dhomë këshillimi”- është shprehur ajo në një lidhje telefonike për “News 24”.

Zonja Durda tha se ky është një lajm i mirë që e ka pritur për 14 vjet dhe se kërkon një vendim përfundimtar gjykate. Ajo shtoi se djali i saj sot do ishte 21 vjeç.

“Është një hap i mirë, për të gjithë. Një lajm i mirë për të gjithë që të paktën të ketë një ndëshkueshmëri. I kam parashtruar të gjitha kërkesat e mia nëpërmjet avokatit edhe pse nuk isha e pranishme.

Këtë kam pritur se për gjithë këtë kohë 14 vjet, kam qenë në të gjitha institucionet dhe shpresa e fundit ishte tek SPAK që unë vura në lëvizje SPAK. Kjo është ajo që prisja, rihapje dhe të ketë një vendim gjykate, a i fajshëm, a i pafajshëm se na bënin karshillëk gjatë gjithë kohës.

Gjithë këto kohë e kaluar me një dhimbje shumë të madhe e duke mos marrë dhe drejtësi dhimbja sa vjen e shtohet. Është dyfishuar dhimbja me mospasjen e drejtësisë. Djali im do ishte sot 21 vjeç, përse nuk jeton fëmija im. Kjo gjë më mundon nga dita në ditë, sa më shumë vite kalojnë dhimbja ime shtohet”- tha Durda.

Ndërkohë avokati i familjarëve që u prekën nga tragjedia e Gërdecit, Dorian Matilija tha se kjo është vetëm një fazë e parë dhe do të ketë shumë komplikacione deri në rezultatin e kërkuar prej familjarëve.

“Nuk është hapur rigjykimi, por gjykimi, është hequr pengesa për tu hapur gjykimi. Më në fund kjo pengesë është hequr dhe jemi në kushtet që seanca do të nisë. Çështja është e komplikuar.

Jemi ende në fillim, është lajm i mirë që është hequr një pengesë absurde juridike. Të gjitha argumentet e dhënë nga shkalla e parë kanë qenë të gabuara. Gjykata e shkallës së parë kishte mendimin që ajo çështje quhet e mbyllur.

Por një çështje është ose quhet e mbyllur kur jepet një dënim ose mos dënim”– tha Matilija.