Ardian Çela është prezantuar sot si drejtues politik i qarkut të Durrësit për Partinë Socialiste.

Në një takim me socialistët e qytetit, ka qenë i pranishëm edhe sekretari i përgjithshëm i PS, Damian Gjiknuri, i cili shprehet se është e nevojshme të fillojë menjëherë puna “për një analizë të rezultatit të 25 Prillit dhe ri-organizimin e Partisë Socialiste në çdo strukturë, për të dalë fitues në garën për zgjedhjet vendore të vitit 2023 dhe ato parlamentare të vitit 2025”.

“Durrës, takim me strukturat e Partisë Socialiste, ku prezantova Ardian Çelën si drejtues Politik të Qarkut.

Jam i bindur që me eksperiencën dhe maturinë politike, suksesin e arritur në 25 Prill, Ardian Çela do të dijë ta përkthejë në fitore të tjera për Qarkun e Durrësit.

Është e nevojshme të fillojmë menjëherë punën për një analizë të rezultatit të 25 Prillit dhe ri-organizimin e Partisë Socialiste në çdo strukturë, për të dalë fitues në garën për zgjedhjet vendore të vitit 2023 dhe ato parlamentare të vitit 2025.

Vëmendja e qeverisë dhe Kryeministrit Edi Rama ndaj qytetarëve të këtij Qarku, do të vijojë të jetë maksimale edhe në këtë mandat të tretë qeverisës”, shkruan Gjiknuri.