3.000 punonjës shëndetësie në Francë janë pezulluar nga puna për shkak se nuk ishin vaksinuar kundër Covid 19. Qeveria franceze e bëri të detyrueshëm një ditë më parë vaksinimin për punonjësit e sektorit të shëndetësisë dhe ata të azileve të të moshuarve. Gati 450 e të pezulluarve janë në qytetin e Nice. Një prej tyre, Thierry Paysant ngriti një tendë përpara kishës së Saint-Pons e hyri në grevë urie. “Nuk jam kundër vaksinës në vetvete”, tha ai për mediat vendase.

“Por t`i detyrosh njerëzit ta bëjnë sepse në të kundërt do të humbasin vendin e punës, kjo është e vështirë për t`u gëlltitur, sepse është dicka që imponohet në mënyrë të dhunshme”. Vaksinimi i detyrueshëm për punonjësit e spitaleve dhe të shtëpive të të moshuarve, për klinikat e mjekëve dhe farmacitë, për zjarrfikësit dhe madje edhe për studentët e mjekësisë po shkakton protesta dhe stres të përsëritur në ekipet tashmë të pakta të stafit në klinika. Nga mesi i tetorit, 2.7 milionë punonjësit në grupet e prekura profesionale duhet të dëshmojnë se janë vaksinuar plotësisht. Por spitalet franceze po veprojnë me shpejtësi. Në Lyon, për shembull, të gjithë punonjësit e spitalit që nuk janë vaksinuar marrin një mesazh me tekst kujtues në telefonin e tyre celular – përfshirë një rezervim preferencial në një qendër vaksinimi.