Epidemiologu Alban Ylli ka dhënë detaje mbi studimin e Akademisë së Shkencave për ecurinë e Covid-19. I ftuar në Radar Informativ me Jonida Shehun, Ylli tha se 73% e popullatës ka rezultuar me antitrupa mbi një nivel të caktuar. Epidemiologu thekson se në Shqipëri ka me mijëra deri në 1 milion njerëz që janë të prekshëm dhe të rrezikuar nga virusi. “Koncepti i imunitetit është më i gjerë sesa thjeshtë prania e antitrupave. 73% e popullatës kanë antitrupa mbi një nivel të caktuar. Janë të ekspozuar, duhet të jenë infektuar ose janë vaksinuar. Por kjo nuk do të thotë që persona të tjerë jashtë këtij 73% nuk kanë antitrupave. Jemi të sigurt që në popullatën urbane të Shqipërisë jemi te 70%. Nëse do përfshinin fëmijët dhe fshatrat mund të binte pak. Në Shqipëri ka ende deri në 1 milion njerëz që janë të prekshëm,” u shpreh ai.

Ylli shpjegoi se këtë herë për të realizuar studimin është marrë një kampion më i mirë, më i madh se dhjetorin e kaluar dhe për herë të parë është dalë jashtë Tiranës. Epidemiologu thotë se u zbulua se kryeqyteti nuk udhëheq më infeksionet ashtu sikurse tregonin studimet e mëparshme. “Bëhet fjalë për një kampion të mirë, më i madh se dhjetori, kemi dala është Tiranës, kemi shkuar edhe në Berat për të provuar a jemi aty që deri në fund të dhjetorit thonim që Tirana udhëheq infeksionin. Tani duket se Tirana nuk është më lider është aty-aty me popullatën tjetër urbane.

Janë rastësisht të zgjedhur në listat e mjekëve të familjes, një në 100. Studime të kësaj natyre hedhin dritë, sjellin informacion dhe në njëfarë mënyre sa të ekspozuar kemi qenë ndaj virusit. Personat që kanë antitrupa kanë një risk shumë më të ulët se personat që nuk e kanë kaluar. Kjo është e bazuar në të gjithë teorinë e imunizimit. Por Delta solli shumë ndryshime. Sa herë që janë pyetur ekspertë ju kanë sjellë shifra lidhur me aftësinë që ka vaksina në Shqipëri për të ulur riskun për tu infektuar dhe shtruar. Për të vdekur jemi akoma shumë pak. Në Shqipëri edhe studimi ynë sjell një kontribut të vogël. Ky studim shërben për të parë në këndvështrime të ndryshme. Katër vaksinat në Shqipëri japin një mbrojtje të mirë,” u shpreh ai.