Mjeku Ilir Alimehmeti ishte i ftuar sot në studion e Zona Zero në Top News për të qartësuar edhe njëherë se më të rrezikuarit për t’u infektuar janë të pavaksinuarit. Teksa gjithnjë e më shumë po flitet për bërjen e një doze të tretë, mjeku tha se kush ka bërë një vaksinë dhe kush e ka kaluar COVID nuk ka nevojë për një dozë të tretë. “Duhet ta bëjnë dozën e tretë personat mbi 60 vjeç që kanë bërë një nga vaksinat Pfizer, Astrazeneca dhe Sinovac por që nuk e kanë kaluar COVID,” u shpreh ai.

Ai gjithashtu shtoi se një vaksinë e re Novavax pritet të ndryshojë lojën dhe do jetë më e efektshme. “Vaksina mbron, e ka treguar që mbron. Ka efektivitet. Rritet imuniteti. Sipas efektivitetit themi Pfizer, Astrazeneca, Sputnik dhe Sinovac, kjo është shkalla e efektivitetit. Me Delta-n nuk i bëhet gjë me një dozë. 95% e personave të infektuar janë të pavaksinuar. Rastet e reja me COVID janë pakësuar. Jemi duke parë që shifrat e të infektuarve po ngadalësohen. Novavax pritet të jetë vaksina që do të ndryshojë lojën. Shumë shpejt do jetë në qarkullim pasi pritet procedurat e fundit. Është vaksinë amerikane,” tha Alimehmeti.