“The Voice Australia”, kompeticioni muzikor, ku pjesë e jurisë ishte edhe artistja shqiptare, Rita Ora, është renditur ndër emisionet më të ndjekura në Australi që ka tërhequr miliona shikues. Tani që sezoni i fundit i programit ka përfunduar, anëtarët e jurisë, Jessica Mauboy dhe Sebastian kanë firmosur sërish kontratë për të qenë pjesë e sezonit të ardhshëm, por organizatorët po punojnë për të rimarrë dhe Ritën. Sipas mediave të huaja, asaj i është ofruar një shumë marramendëse për të qenë pjesë e tij. “Asaj i është ofruar deri në 1 milion dollarë në sezon, që është një tarifë marramendëse. Është joshëse në një botë ku nuk ka aq shumë para për të fituar në turne gjatë Covid-19.“, tha një burim.

Më herët, këngëtarja me origjinë shqiptare ka shpërthyer në lot gjatë transmetimit të këtij programi teksa ka folur për legjendën, Tina Turner. Pas performancës së Rebecca O’Connorit, që ngjante me Turner-in, kandidatja në “The Voice of Australia” tregoi se është rritur mes shumë vështirësive si e vetmja vajzë me ngjyrë në një fshat, ndërsa ka qenë Tina Turner ajo që e ka inspiruar atë sa herë që e kishte parë në televizor. “Kam thënë ‘O Zot! Nënë, kjo ngjan shumë me mua’”, ka kujtuar Rebecca. Pas fjalëve të konkurrentes, Rita ka nisur të tregojë historinë e saj, ku dhe është emocionuar. Ajo ka treguar se këngëtarja për të ka qenë inspirim në kohën kur përballej me vështirësi gjatë rritjes në Angli pasi “nuk ngjante me vajzat tjera. Po ashtu, artistja ka kujtuar kohën se si prindërit e saj ishin larguar nga Kosova drejt Britanisë së Madhe kur ishte ende fëmijë.

“Kjo më prek shumë sepse kur unë po rritesha kam shkuar në Britani kur isha vetëm një vjeçe dhe sikur që the ti, nuk isha ajo vajza normale në lagjen time. Sapo dëgjova për Tinën, do të nis të qaj tani sepse për mua, ajo është idhulli im më i madh në botë për shumë arsye”, u shpreh Rita.