Nga Mero Baze/ Lulzim Basha ka filluar të ketë fat pa bërë asgjë. Si në shumicën e karrierës së tij politike. Beteja e rrugës që Sali Berisha ka nisur kundër tij, ka nisur të kristalizojë aleancat e saj të para politike.

Pas dështimit që Berisha pati në Grupin Parlamentar, ku arriti të marrë vetëm tre deputet të pranishëm në takimin e tij të parë, duket se ka kthyer sytë nga aleati i tij politik Ilir Meta. Ky i fundit i ka dalë sot në krah, duke u bërë thirrje demokratëve të bëhen me të.

Ky është një lajm i rëndësishëm politik për opozitën. E mira e kësaj historie, është që Sali Berisha dhe Ilir Meta janë bashkë në betejën për të marrë kontrollin e Partisë Demokratike kundër SHBA. Njëri në listë të zezë e tjetri kandidat, ata janë në fakt e vetmja vlerë politike që ka beteja e Lulzim Bashës.

Në një betejë zakonisht kur të shtohet një ushtar më shumë, është sukses. Rasti i Ilir Metës me Sali Berishën, është e kundërta. Sa më shumë njerëz si Ilir Meta t’i bashkohen kauzës së Berishës, aq më shumë është i garantuar dështimi i saj.

Kjo, për arsyen se këtu po bashkohen dy politikanë dikur të rëndësishëm të vendit, që secili më vete dhe të dy së bashku, janë në konflikt me Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe duan të bëhen bashkë politikisht për të krijuar një front kundër SHBA.

Kjo e bën më të qartë objektivin e tyre, pasi e diferencon opozitën në një front anti-amerikan dhe në një front tjetër pro-perëndimor.

Në vitin 2001, kur Fatos Nano nisi lëvizjen për katarsis brenda PS dhe kishte në qendër të saj korrupsionin e Ilir Metës, ngjalli një ndenjë shprese në Partinë Socialiste, por dhe mbarë shoqërinë, se korrupsioni mund të ndëshkohej me mjete politike brenda një partie.

Dhe në atë kohë, Preç Zogaj, për të shpjeguar rëndësinë kombëtare që kishte lëvizja e Fatos Nanos, shkruajti se “Lëvizjen Nano, nuk e ndal dot as Fatos Nano”.

Sot me këtë që ka ndodhur, pra me bashkimin e viktimës së katarsis-it të Fatos Nanos, Ilir Metën dhe viktimën e katarsisit të Lulzim Bashës, Sali Berishën, mund të themi qartë se dështimin e “Lëvizjes Berisha, nuk e ndal dot as Sali Berisha”.

Lulzim Basha mund të lodhet kot me oratorinë e tij të drunjtë t’u shpjegojë demokratëve, se ‘nuk kam gjë me Berishën, por e kemi problemin me SHBA’.

Lodhet kot tu shpjegojë, se si ka marrë ultimatum për këtë çështje dhe pse nuk e shmangte dot dënimin e Doktorit.

Lodhet kot të bëjë sikur do të sqarojë popullin me deputet e tij, që akoma kanë frikë t’i zënë emrin në gojë Berishës.

Por si njeri i lindur me fat për të fituar pa bërë asgjë, atij i del në ndihmë Ilir Meta. Shkon ai i del në krah Berishës në këto ditë të vështira për të, dhe populli opozitar qartësohet menjëherë si ata nxënësit e fillores që dhe kur nuk kuptojnë tekstin, kuptojnë figurat në fletore.

Dhe portreti i Ilir Metës në krah të Berishës nuk ka më nevojë për shpjegime se çfarë po ndodh. Të ndëshkuarit e SHBA në politikën shqiptare janë bërë bashkë të mundin SHBA, por si dikur në zboret e komunizmit për tabelë qitje që përfaqëson SHBA, kanë fytyrën e Lulzim Bashës. Natyrisht të buzëqeshur, siç i takon të jetë pas kësaj.