Policia ka vendosur qindra gjoba gjatë fundjavës për drejtuesit e automjeteve me shpejtësi mbi normat e lejuara. Në Bypass-in e Fierit është ndaluar një drejtues mjeti me shpejtësi deri në 170 km në orë. Gjatë monitorimit me dronë, për parakalime të gabuara, përdorim celulari dhe mosvendosje të rripit të sigurimit, janë ndëshkuar me masë administrative 158 drejtues mjetesh.

Policia e Shtetit apelon për të gjithë përdoruesit e rrugës që të tregojnë kujdes dhe të zbatojnë me rigorozitet rregullat e qarkullimit rrugor.

Njoftimi i policisë: Fier-Vlorë, Lezhë-Shkodër dhe Elbasan-Rrogozhinë/ Njësia Operacionale e Drejtorisë së Policisë Rrugore, me dronë e radarë përgjatë fundjavës, për parandalimin e aksidenteve, me qëllim rritjen e sigurisë rrugore. Njësia Operacionale e Drejtorisë së Policisë Rrugore vijon monitorimin e qarkullimit të automjeteve në Bypass-in e Fierit, në autostradën Levan-Vlorë-Levan, në Lezhë-Shkodër dhe në Elbasan-Rrogozhinë.

Si rezultat i monitorimit me radar, përgjatë fundjavës janë evidentuar drejtues mjetesh që abuzonin me shpejtësinë, deri në 180 km/h në Baypass-in e Fierit. Gjatë 48 orëve të fundit, nga Njësia Operacionale e Policisë Rrugore janë ndëshkuar për shpejtësi mbi normat e lejuara, 29 drejtues mjetesh, me pezullim të lejes së drejtimit nga 1 muaj deri në 6 muaj, me masa administrative nga 8.000 deri në 25.000 lekë të rinj dhe me zbritje 3 pikë nga leja e drejtimit.

Njekohësisht, po për shpejtësi, që varionte nga 150 km/h deri në 170 km/h, janë vendosur edhe 3 masa administrative 40.000 lek të rinj, pasi drejtuesit e automjeteve që u konstatuan në shkelje, ishin rezident në një shtet tjetër. Gjithashtu, gjatë monitorimit janë ndëshkuar me masa administrative nga 2.000 deri në 4.000 lekë të rinj secili, 73 drejtues mjetesh, për shpejtësi tej normave të lejuara, por pa masën plotësuese të pezullimit të lejes së drejtimit. Po gjatë 48 orëve të fundit, nga Njësia Operacionale e Drejtorisë së Policisë Rrugore, gjatë monitorimit me dronë, për parakalime të gabuara, përdorim celulari dhe mosvendosje të rripit të sigurimit, janë ndëshkuar me masë administrative 158 drejtues mjetesh, nga këta 67 për parakalime të gabuara, 59 për përdorim të celularit gjatë drejtimit të mjetit dhe 32 për mosvendosje të rripit të sigurimit.

Policia e Shtetit apelon për të gjithë përdoruesit e rrugës në tërësi, veçanërisht drejtuesit e mjeteve, motomjeteve dhe çiklistët, që të tregojnë kujdes dhe të zbatojnë me rigorozitet rregullat e qarkullimit rrugor. Të gjitha rrugët nacionale dhe urbane në të gjithë vendin janë të monitoruara me patrulla të lëvizshme të Policisë Rrugore, duke përdorur radarë, dragera, dronë, makina të paloguara, kamera e aparate fotografike Policia e Shtetit fton qytetarët që të denoncojnë në Komisariatin Dixhital dhe në numrin e emergjencave 112, çdo paligjshmëri.