Presidenti amerikan Joe Biden deklaroi se para njohjes të talebanëve nga SHBA-ja ka ende një rrugë të gjatë, pasi grupi militant pushtoi kryeqytetin afgan, në mes të gushtit, pas tërheqjes së trupave amerikane.

“Kjo është shumë larg”, u tha Biden gazetarëve në Shtëpinë e Bardhë.

Në një konferencë shtypi zëdhënësja Jen Psaki tha se SHBA-ja nuk nxiton të njohë talebanët dhe do t’i gjykojë ata nga veprimet e tyre.

Më 31 gusht, SHBA-ja njoftoi përfundimin e përpjekjeve të saj për të tërhequr të gjitha forcat e saj nga Afganistani duke i dhënë fund luftës më të gjatë në historinë amerikane.

Dy javë para tërheqjes, talibanët pushtuan Kabulin, duke shkaktuar panik mes banorëve, ndërsa mijëra u dyndën në aeroportin e qytetit në përpjekje për të ikur nga vendi.

Rreth 130 000 persona, përfshirë amerikanë dhe afganë, janë larguar nga vendi si pjesë e një operacioni masiv evakuimi.