Ish-kryeministri Sali Berisha vlerëson si “qëndrimin që duhej mbajtur” qëndrimin e PD-së në raport me çështjen e tij kundër departamentit të shtetit amerikan që e ka shpallur atë “non grata”. Në një intervistë me Erla Mëhillin në Euronews Albania, Berisha tha se PD ka kërkuar transparencë në raport me akuzat që i janë ngritur atij në argumentimin që DASH ka bërë në shpalljen “non grata”.

“Mendoj se PD ka mbajtur qëndrimin që duhej të mbahej, ka kërkuar transparencë, që PD të konsolidojë apo të marrë qëndrim ndaj një personi, apo Sali Berishës, PD duhet të ketë fakte, dokumente dhe prova, jashtë tyre, PD qëndrim tjetër nuk mund të mbajë,” – u shpreh Berisha.

“Nëse PD do të gjendej para provave, fakteve, dokumenteve për çka Sali Berisha është akuzuar, PD do të bënte gabim historik nëse nuk merrte vendim për përjashtimin e tij nga partia,” – tha Berisha duke theksuar se partia e tij po bën detyrën kur kërkon prova përpara se të mbajë qëndrim.