Nga Mero Baze

Takimin e Sali Berishës në Vlorë e dominoi beteja kundër reformës në drejtësi. Ndryshe nga takimet e tjera, ai u përpoq të bënte kalë beteje luftën kundër reformës në drejtësi. Duke qenë një reformë të cilën SHBA e ka cilësuar dhe interes strategjik të SHBA në Shqipëri, Sali Berisha ishte dy herë i motivuar. E para, se merrte hak ndaj SHBA për atë që i kanë bërë, e dyta, se dje laku i saj u ngushtua rreth djalit të tij të implikuar në një nga ngjarjet më tragjike në Shqipëri, ku u vranë 26 vetë dhe u plagosën mbi 300 të tjerë. Beteja kundër reformës në drejtësi nuk është se e dëmton më reformën. Kjo është një betejë e viktimave të saj me të dhe jo betejë e aktorëve politikë që mund ta dëmtojnë atë.

Por Sali Berisha tani po mendon vetëm për një skemë. Ai po përpiqet të dalë si viktimë nga ndëshkimet e radhës që mund t’i vijnë nga drejtësia. Duke parë se çështja e Fatmir Mediut po shkon në Gjykatë të Lartë dhe natyrisht frika se Mediu mund të bëhet “pentito” si Luli, e kanë motivuar atë të hidhet në sulm kundër reformës në drejtësi, që nëse i biri i tij përfundon në burg nga drejtësia, ta paraqesë atë si hakmarrje ndaj Berishës, që sulmoi reformën në drejtësi. Të gjithë e pamë se si gënjente duke thënë se ka kërkuar që Xhorxh Sorosi të shpallej person non grata në Shqipëri. Ky personalisht as e ka thënë, as e ka bërë ndonjë herë. Intervista e tij e fundit për Xhorxh Sorosin ka qenë më 2013 në forumin e Kras Montanës, ku e vlerësoi si një mik të madh të Shqipërisë.

Gënjeshtrat që thotë sot, në një sallë mbushur me njerëz që më shumë kanë kuriozitet të shikojnë si ka degraduar Saliu, se sa të presin ndonjë gjë prej tij, janë në funksion vetëm të viktimizimit të tij. I djegur nga Lulzim Basha dhe ajo që ai e quan “thikë pas shpine” për të, ai tani ka në horizont një rrezik të ri, thikën pas shpine nga Fatmir Mediu. Shpresa se ai nuk do të flasë dhe nuk do ta shesë është ende e madhe, por po aq e madhe është dhe frika në minutën e fundit, si ajo e Lulzim Bashës. Kjo e bën Berishën që të kthejë kalë beteje reformën në drejtësi, i vetmi motiv që e ka detyruar atë në atë moshë, të marrë shkopin e të dalë rrugëve.

Është duke bërë atë që duhet të bëjë. Jo vetëm ai, por të gjithë. Sali Berisha e ka të nevojshme betejën kundër reformës në drejtësi, pasi ajo ishte makthi i gjithë zhvillimeve qe degraduan PD në këtë pikë.

Lulzim Basha ka bërë po ashtu atë që duhet, duke flakur Sali Berishën. Edi Rama po bën atë që duhet duke i ndenjur larg këtij degradimi të PD e duke u marrë me punët e qeverisjes. I fundit që pritet të bëjë detyrën para drejtësisë është Fatmir Mediu. Deri sa ajo çështje të mbyllet, mos prisni që Berisha të heqë nga goja reformën në drejtësi. Shembulli i Lulit e lë pa gjumë. Nuk është pak ta kesh fatin e djalit në dore të Fatmir Mediut.