Vjeshta vjen me privime për italianët. Nga 1 shtatori e ashtuquajtura Green Pass, apo certifikata shëndetësore, bëhet e detyrueshmë për të udhëtuar me mjetet e transportit në distanca të gjata; si trena, anije, avionë dhe autobusë. Certifikata që dëshmon vaksinim apo test negativ për koronavirus do të jetë gjithashtu e domosdoshme për të ndjekur leksionet në universitet apo për të dhënë mësim në të gjitha shkollat.

Masa, që synon frenimin e përhapjes së pandemisë së covid-19, do të jetë në fuqi të paktën deri në 31 dhjetor të 2021-shit, kur përfundon edhe gjendja e emergjencës. Deri më tani Green Pass, kërkohej për të hyrë në lokalet e mbyllura, pishina, palestra apo stadium. Për shkak të paralajmërimit për protesta kundër certifikatës dhe vaksinimit, autoritetet vendosën të shtojnë kontrollet nga ana e forcave të rendit, në stacione, porte dhe aeroporte.

Luciana Lamorgese, ministre e Brendshme: “Nuk do të tolerojmë asnjë shkelje me rastin e protestave të lajmëruara në stacionet hekurudhore. Dënojmë ashpër sulmet dhe tonet e papranueshme në rrjet kundër eksponentëve të qeverisë, mjekëve dhe gazetarëve”.

Rrjetet sociale janë të mbushura me kritika dhe sharje ndaj qeverisë, ndërsa lista e atyre që vihen në shënjestër të kërcënimeve sa vjen e zgjerohet. Duhet plumbi, apo një tjetër i pafytyrë për t’u ndëshkuar, ishin mesazhet drejtuar ministrit të jashtëm, Luigi Di Maio. Disa persona janë identifikuar dhe denoncuar për kërcënimet në rrjet.