Trajneri i Juventusit, Massimiliano Allegri, i ka krahasuar futbollistët e tij me marinarët në stuhitë detare dhe i ka shpjeguar vendimet taktike për ta neutralizuar e pastaj goditur në kundërsulme Chelsean në fitoren 1:0 në Ligën e Kampionëve të martën. Federico Chiesa e shënoi golin e triumfit për Juven vetëm 10 sekonda brenda pjesës së dytë në Allianz Stadium.

Me gjithë zotërimin e madh të topit gjatë 90 minutave, kampioni evropian nuk ia doli ta bëjë asnjë goditje të vetme në kornizën e portës së Juves. Ishte një mbrojtje e vendosur në mënyrë të përsosur nga Allegri, e cila ia siguroi fitoren e dytë në grup bardhezinjve dhe i bën ata lider të grupit me gjashtë pikë.

“Zakonisht, kur marinarët ndodhen në stuhi detare, ata gjithmonë mund ta gjejnë një rrugëdalje. Kjo është ajo që ne e bëmë sonte dhe me një ndeshje madhështore kundër kampionit të Evropës”, tha Allegri. “Ne mund të luajmë më mirë se kaq teknikisht, por ne nuk e lejuam kundërshtarin ta krijojë asnjë mundësi dhe ne i humbëm dy mundësi të mëdha në kundërsulm, po ashtu”, shtoi ai.

Kjo ishte fitorja e tretë radhazi e Juventusit, pas një fillimi zhgënjyes të sezonit për skuadrën e të kthyerit në klub, Allegri.