Emisari i ri amerikan për Ballkanin Perëndimor dhe dialogun Kosovë-Serbi Gabriel Escobar, deklaroi se Shtetet e Bashkuara kanë një qëllim shumë të qartë për ta bërë të gjithë Ballkanin Perëndimor pjesë të Bashkimit Evropian.

Escobar, i cili pasoi Matthew Palmer si zëvendës ndihmës sekretar i shtetit për zyrën e Azisë dhe Euroazisë dhe i dërguari për Ballkanin Perëndimor, tha se Shtetet e Bashkuara do të punojnë krah për krah me BE-në për të bindur të gjitha palët se kjo ishte rruga e vetme e drejtë.

Në një panel të organizuar nga Qendra për Politikat Evropiane (EPC) me qendër në Bruksel, Escobar tha se anëtarësimi në BE sjell përfitime të mëdha, se vendet bëhen më demokratike, më të prosperuara dhe se edhe kandidimi për anëtarësim inkurajon vendet që të bëhen më demokratike dhe ekonomikisht i fortë.

I pyetur në lidhje me lëvizjet konkrete dhe strategjinë e Uashingtonit në dialogun Kosovë-Serbi, Escobar tha se Shtetet e Bashkuara do t’i dërgojnë një mesazh mbështetjeje të Dërguarit Special të BE-së për dialogun Miroslav Lajçak në çdo mundësi dhe se Departamenti i Shtetit do të punojë përmes ambasadave në rajon për të arritur marrëveshjet zbatohen dhe që aktorët të mos shmangin dialogun.

Sa i përket asaj se cili duhet të jetë qëllimi përfundimtar i marrëveshjes për normalizimin e marrëdhënieve Kosovë-Serbi për Shtetet e Bashkuara, Escobar tha se nuk është vetëm njohja reciproke, por edhe anëtarësimi në BE, dhe një rajon paqësor dhe funksional si pjesë e BE-së./KosovaPress