Forcat e Armatosura dhe zjarrfikësit lokalë kanë vënë nën kontroll zjarrin në malin e Rrajcës në Përrenjas, por puna vijon pasi era mund ta favorizojë duke rrezikuar Parkun Kombëtar të Shebenik-Jabllanicës në kufi me Maqedoninë e Veriut, ku edhe fqinjët tanë po punojnë në pjesën e tyre.

Ministri i Mbrojtjes, Niko Peleshi përditësoi situatën e zjarreve në vend duke informuar se “mbi 100 forca po luftojnë me flakët në 2 vatra të ndryshme në fshatrat Thirrë dhe Katund i Vjetër në Mirditë, ku tymi i dendur ka vështirësuar ndërhyrjen nga ajri dhe era favorizon flakët”.

Peleshi bën të ditur se në malin e Tërbunit në Pukë dhe fshatin Dardhë në Fushë-Arrëz era dhe terreni po favorizojnë përhapjen e zjarrit, ndërkohë që në këto 2 vatra po punojnë aktualisht në terren rreth 200 forca.

“Vatrat e tjera në vend nuk paraqesin rrezik të lartë dhe vijon puna e autoriteteve lokale për shuarjen e tyre”, shtoi Peleshi.

Prej gati 3 javësh vendi ynë po përballet me zjarret, ndërkohë që Forcat e Armatosura dhe zjarrfikësit po punojnë për shuarjen e tyre.