Ministri i Mbrojtjes, Niko Peleshi deklaroi sot se në të gjithë vendin kanë mbetur pak vatra zjarri ende të pashuara, ndërsa tashmë është fituar beteja në Karaburun e Dukat. Peleshi deklaron se të gjitha vatrat që ishin në fshatrat Thirrë, Munellë e Domgjon në bashkinë e Mirditës, janë shuar. “Mbetet ende një vatër në fshatin Patalej në bashkinë Lezhë, ku është angazhuar edhe një mjet helikopter për shuarjen e flakëve nga ajri. Por situata është nën kontroll”, shprehet ministri.

Në Majën e Rrunës, në njësinë administrative Malzi të Kukësit situata është nën kontroll, por po punohet për shuarjen përfundimtare edhe të disa vatrave të vogla. “Është raportuar një vatër zjarri në zonën pyjore, në malin e Tërbunit në Pukë, ku janë angazhuar forcat e shërbimit pyjor, të zjarrfikëses, Agjencisë së Zonave të Mbrojtura dhe banorë të zonës për të vënë situatën nën kontroll”, bëri të ditur ministri i Mbrojtjes.