Autoritetet në komunën jugore italiane të Mesoraca-s kanë evakuuar banorët për shkak të kërcënimit të zjarreve në pyje. “Zjarret kanë arritur pranë shtëpive”, njoftuan zjarrfikësit, ndërsa publikuan një video sot në mbrëmje.

Në komunën Tiriolo, pak më shumë se 70 kilometra në jugperëndim, flakët po përparojnë drejt qendrës së qytetit, sipas brigadës së zjarrfikësve. “Në Kalabri, zjarret në pyje po përhapen më tej, në të gjithë Parkun Kombëtar të Aspromonte-s, duke kërcënuar të shkatërrojnë të gjithë rezervatin natyror nëse nuk arrijnë së shpejti më shumë avionë zjarrfikës”, tha presidenti i parkut, Leo Autelitano.

“Ne kemi nevojë urgjente për avionë në të gjitha frontet, përndryshe i gjithë parku do të digjet në një katastrofë të paparë”, shtoi ai. Zjarre të shumta në pyje pa vazhdojnë të ndizen nëpër Itali, për shkak të një vale nxehtësie me temperatura deri në 45 gradë Celsius në disa vende, ndërsa erërat e nxehta po ndihmojnë në përhapjen e flakëve.