Të vaksinuarit kundër Covid-19 në Shqipëri kanë kaluar 1 milion e 198 mijë ndërsa rreth 24 % e popullsisë i ka marrë të dy dozat e vaksinës. Me konfirmimin e variantit “Delta” autoritetet shëndetësore kanë shtuar thirrjet për të përmbushur kalendarin e plotë. Sipas tyre vetëm përmes vaksinimit mund të frenohet epidemia dhe shfaqja e mutacioneve të reja.

“Është e rëndësishme që vaksinimi të përparojë me ritme të larta”.

Mutacioni Indian i Covid 19 po prek më shumë të rinjtë dhe të pavaksinuarit ndërsa numri i të infektuarve po pëson rritje. Zëvendësministrja e Shëndetësisë Eugena Tomini apelon për të përfituar nga muaji i hapur i vaksinimit për të qenë më të mbrojtur gjatë vjeshtës.

“Nëse do jemi të vaksinuar është e rëndësishme të parandalojmë format e rënda, hospitalizimin dhe për rrjedhojë edhe vdekjen. Përgatitja për vjeshtë-dimër fillon tani”, shprehet Tomini.

Ashtu si dhe shtete të tjera dhe në vendin tonë ekspertët e shëndetësisë po vlerësojnë mundësinë për të përforcuar mbrojtjen anti Covid me një dozë të tretë vaksine.

“Ekspertët shikojnë dhe vlerësojnë situatën jo vetëm në rajon por edhe në botë. Deri më tani nuk është gjykuar marrja e një doze të tretë”, thotë ajo.

Gjatë gushtit çdo person mbi 18 vjeç mund të marrë vaksinën anti-Covid duke u paraqitur në qendrën shëndetësore vetëm më kartë identiteti.