Universiteti i Tiranës u ka bërë apel studentëve që të kryejnë vaksinimin e plotë kundër “Covid 19”. Në njoftimin e Universitetit të Tiranës theksohet se “muaji gusht është shpallur nga Ministria e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale si muaj i hapur për vaksinimin e grupmoshave +18 vjeç. Universiteti i Tiranës, u bën thirrje të gjithë studentëve të tij, që të kryejnë vaksinimin e plotë kundër “Covid 19”, për të shmangur, së pari, pasojat në shëndetin e tyre, dhe për garantuar një vit akademik normal”.

“Të gjithë ne, së bashku, përjetuam një vit të vështirë, kur nuk mundëm ta zhvillonim mësimin në auditore për shkak të rrezikut nga ky virus. Personeli akademik dhe ai administrativ tashmë janë vaksinuar dhe këtë duhet të bëni edhe ju, në mënyrë që me sezonin e ri t’i rikthehemi normalitetit në universitet”, thekson Universiteti i Tiranës.

““Covid 19” dikton ende një situatë emergjence në nivel kombëtar, ndaj ne ju bëjmë thirrje që të tregoni përgjegjësi dhe përgjegjshmëri qytetare, për t’iu përgjigjur masivisht këtij apeli”, shprehet Universiteti i Tiranës.