Rreziku i vdekjeve nga varianti Delta nuk shmanget plotësisht përmes vaksinimit. Në këtë përfundim arrin një studim i Institutit të Lartë italian të Shëndetit që ka analizuar të dhënat e pacientëve në spitale të dy muajve të fundit.

Të dhënat tregojnë se 97% e të vaksinuarve nuk patën nevojë për shtrim në terapinë intensive në spital, pasi u prekën nga mutacioni me origjinë nga India. Po ashtu, vetëm 5% e të prekurve patën nevojë për shtrim në spital, një nivel shumë herë më i ulët në krahasim me të pavaksinuarit.

Megjithatë vaksinimi krijon mbrojtje të fuqishme edhe ndaj variantit Delta, pasi ato mbrojnë në 82% të rasteve nga rreziku i infektimit dhe shfaqjes së simptomave.

Gjatë 45 ditëve të fundit, 82% e personave që kanë rezultuar pozitivë për koronavirus, kanë qenë të prekur nga varianti Delta. Mutacioni britanik Alfa ka pësuar një reduktim të ndjeshëm dhe aktualisht prek vetëm 8% të popullsisë.

Që vaksinat mbrojnë edhe ndaj variantit Delta, këtë e tregojnë shifrat në Shtetet e Bashkuara dhe Bashkimin Europian, ku vaksinimi ka arritur në mbi 60% të popullsisë.

Delta ka shkaktuar një valë të re, por vdekjet kanë pësuar rritje të papërfillshme, në dallim nga Rusia ku vdekjet prekën rekorde për gjithë periudhën e pandemisë, pasi vaksinimi është në kuota të ulta.