Ministrat e Jashtëm të NATO -s diskutuan dje mbi situatën e vështirë në Afganistan, duke dalë me një deklaratë të përbashkët, ku ndajnë shqetësimin e thellë për ngjarjet e rënda dhe bëjnë thirrje për ndalimin e menjëhershëm të dhunës.

Deklarata e përbashkët e Ministrave të Jashtëm të NATO-s për Afganistanin u publikua sot edhe nga ambasada e SHBA-së në Tiranë, e cila thekson se “gjatë 20 viteve të fundit, ne kemi qenë të suksesshëm në ndaljen e një strehe të sigurt për terroristët në Afganistan, nga e cila mund të nxisnin sulme”.

“Ne ndajmë shqetësimin tonë të thellë për ngjarjet e rënda në Afganistan dhe bëjmë thirrje për ndalimin e menjëhershëm të dhunës. Ne gjithashtu shprehim shqetësim të thellë për raportet që flasin për shkelje dhe abuzime serioze të të drejtave të njeriut në të gjithë Afganistanin. Ne shprehim hapur angazhimin tonë ndaj deklaratës së Këshillit të Sigurimit të OKB -së më 16 gusht dhe bëjmë thirrje për respektimin e normave dhe standardeve ndërkombëtare mbi të drejtat e njeriut dhe të drejtën humanitare ndërkombëtare në të gjitha rrethanat”, thuhet në deklaratë.

Ministrat e Jashtëm të NATO-s shprehen se “detyra jonë e menjëhershme tani është të përmbushim angazhimet tona për të vazhduar evakuimin e sigurt të qytetarëve tanë, shtetasve të vendeve partnere dhe afganëve në rrezik, në veçanti atyre që kanë ndihmuar përpjekjet tona”.

“Ne u bëjmë thirrje atyre që kanë pushtetin në Afganistan të lejojnë dhe lehtësojnë largimin e tyre të sigurt dhe të rregullt, përfshirë përmes Aeroportit Ndërkombëtar “Hamid Karzai” në Kabul. Për sa kohë që operacionet e evakuimit vazhdojnë, ne do të ruajmë koordinimin tonë të ngushtë operacional përmes njësive ushtarake aleate në Aeroportin Ndërkombëtar “Hamid Karzai”, vijon deklarata.

“Populli afgan meriton të jetojë në siguri, dinjitet dhe të ndërtojë mbi arritjet e rëndësishme politike, ekonomike dhe sociale që janë bërë gjatë njëzet viteve të fundit. Ne qëndrojmë pranë aktorëve të shoqërisë civile të cilët duhet të jenë në gjendje të vazhdojnë të luajnë në mënyrë të sigurt rolin e tyre domethënës në shoqërinë afgane. Ne u bëjmë thirrje të gjitha palëve në Afganistan të punojnë në mirëbesim për të krijuar një qeveri përfshirëse dhe përfaqësuese me pjesëmarrjen kuptimplote të grave dhe grupeve të pakicave. Në rrethanat aktuale, NATO ka pezulluar çdo mbështetje për autoritetet afgane. Çdo qeveri e ardhshme afgane duhet t’i përmbahet detyrimeve ndërkombëtare të Afganistanit; të mbrojë të drejtat njerëzore të të gjithë afganëve, veçanërisht grave, fëmijëve dhe pakicave; të ruajë shtetin e së drejtës; të lejojë hyrjen e ndihmës humanitare; dhe të sigurojë që Afganistani të mos shërbejë më kurrë si një strehë e sigurt për terroristët”, thuhet më tej në deklaratën e përbashkët.

“Për njëzet vitet e fundit, ne u kemi mohuar me sukses terroristëve një strehë të sigurt në Afganistan nga e cila mund të nxisin sulme. Ne nuk do të lejojmë që asnjë terrorist të na kërcënojë. Ne mbetemi të përkushtuar për të luftuar terrorizmin me vendosmëri dhe solidaritet”, shprehen Ministrat e Jashtëm të NATO-s.

“Ne nderojmë shërbimin dhe sakrificën e të gjithë atyre që kanë punuar pa u lodhur gjatë njëzet viteve të fundit për të realizuar një të ardhme më të mirë për Afganistanin. Së bashku, ne do të mendojmë mbi angazhimin tonë në Afganistan dhe do të nxjerrim mësimet e nevojshme. Ne do të vazhdojmë të promovojmë Afganistanin e qëndrueshëm, të begatë që populli afgan meriton dhe të adresojmë çështjet kritike me të cilat përballet Afganistani dhe rajoni, në të ardhmen e afërt dhe më tej, përfshirë përmes bashkëpunimit tonë me partnerët rajonalë dhe ndërkombëtarë, si Bashkimi Evropian dhe Kombet e Bashkuara”, përfundon deklarata e përbashkët.