Në ditën e tetë të zjarrit në Karaburun situata vijon të jetë problematike dhe shumë e rrezikshme për banorët e fshatit Dukat i Ri, të cilët kanë banesat e tyre afër vatrave të zjarreve. Gjatë gjithë natës gjashtë punonjës së zonave të mbrojtura kanë qëndruar në malin e Karaburunit për të mbajtur nën kontroll zjarret.

Banorët e zonës kanë qene ne gatishmëri pasi zjarri u është afruar shumë pranë banesave të tyre në fshatin Dukat i Ri. Ndërkohë në këto momente zjarri i ndihmuar dhe nga era që fryn nga veriu po i drejtohet Llogorasë dhe po e bën edhe më të vështirë situatën. Disa makina të ushtrisë janë parë në rrugët e Vlorës për tu shkuar në ndihmë FA dhe zjarrfikësve, të cilët janë në luftë me flakët.