Modelja e njohur, Emina Çunmulaj, zbuloi në prill të këtij viti se ishte në pritje të ëmbël për herë të tretë. Bukuroshja shqiptare ndau me ndjekësit një pozë shumë të ëmbël, ku shfaqej së bashku me dy vajzat e saj në një jaht. Emina zbuloi gjithashtu se ishte në pritje të një djali, me bashkëshortin e saj, Sam Nazarian. Ajo është mjaft aktive në profilin e saj në “Instagram”, ku herë pas here tregon edhe ndryshimet që ka pësuar trupi i saj gjatë kësaj periudhe. Një ditë më parë, nëna e dy vajzave ka treguar “problemin” që po përjeton nga rritja e barkut. “Më duhet t’ju tregoj diçka. Rrobat e mia zyrtarisht nuk më bëjnë më, kështu që përfundova duke veshur bluzën e bashkëshortit tim dhe bokserat e tij. Kështu mund të fle rehat natën”, u shpreh Emina.

Kujtojmë se modelja ka disa vite që jeton në Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Por pavarësisht kësaj, asnjë moment nuk e ka harruar vendin e saj, të cilin e viziton shpesh. Madje edhe në rrjetet sociale, Emina ndan foto nga shtëpia në Mal të Zi dhe nuk ngurron që ta tregojë origjinën e saj.