Në një kohë kur numri i infektimeve në vendin tonë po pëson një rritje të ndjeshme, zv.kryeministri Erion Braçe shpesh iu bën apel qytetarëve që të vaksinohen. Në rrjetin e tij social, Braçe shkruan se vetëm 36% e shqiptarëve janë vaksinuar, duke i lënë kështu koronavirusit një terren të përshtatshëm për tu përhapur me lehtësi.

Në shkrimin e tij, Braçe thotë se në vendin tonë vihet re një ngelizhencë e qytetarëve në zbatimin e masave anti-COVID, të vendosura në kuadër të kufizimit të pandemisë. Sipas tij, nëse vazhdohet me këtë ritëm do të na presë një dimër shumë i vështirë. Ai e vë theksin edhe njëherë tek vaksina, e cila sipas tij është i vetmi mjet për të luftuar me virusin.

Teksa kritikon për vaksinimin në vendin tonë, zv.kryeministri sjell shembullin e mikes sonë, Italisë e cila i ndjek vaksinimet sipas rajoneve. Ndërsa, sipas Braçes Italia ka vendosur objektiv imunizimin përmes vaksinimit, duke i kufizuar kështu hapësirën virusit.

Kujtojmë që Italia është një ndër shtetet Evropiane që ka vendosur ‘green pass’ si kusht për hyrjen në ambientet e mbyllura, si baret, restorantet, kinematë, muzetë, dasmat, palestrat, pishinat etj.

“Vetëm 36% e shqiptarëve që rrojnë këtu është vaksinuar plotësisht! Shihni çfarë hapësire të frikshme i kemi lënë virusit të infektojë. Liri pa hesap e kushte plot! Me këtë ritëm vaksinimi 9-10 ja dhe 12 mijë në ditë. Në kushtet kur nuk zbatohet më asnjë mase mbrojtëse, as larja e duarve edhe pse jo traditë, rrezikojmë të hyjmë në dimër duke i shtuar një hall shumë shumë të madh!

Dhe e gjitha për çfarë?

Për një vaksinë, si çështje vullneti e gjithsecilit por edhe si çështje organizimi. Po e sjell edhe njëherë Italinë si shembull. Shihni si e ndjek Italia rajon më rajon imunizimin përmes vaksinës! Nuk llogarit hiç e ke kaluar apo jo sëmundjen. Ka një objektiv, imunizimi përmes vaksinës dhe e ndjek me përpikëri ushtarake duke i kufizuar virusit hapësirën e infektimit.

Ca na duhet?

Qëllim, organizim, përfshirje, disipline, raportim fshat me fshat, njësi me njësi, bashki me bashki! Te pyesësh se sa te imunizuar ka sot në Divjake, natyralisht e përmes vaksinës, nuk e di kurrkush. Prej këtej vaksinimi as që është i targetuar por spontan, vullnetar medemek. Unë nuk besoj se bëhet kështu! Duhet vrull krejt tjetër, kur vaksina është e vetmja mënyrë në kushtet kur masat mbrojtëse as i ka kush në refene”, shkruan Braçe.