Ministri i Mbrojtjes Niko Peleshi, ka ndjekur në terren situatën e zjarreve në Dukatin e Poshtëm ku aktualisht po punojnë efektivë të Forcave të Armatosura për fikjen e zjarrit. Aktualisht janë angazhuar 500 efektivë të Forcave të Armatosura, 50 mjete dhe 3 helikopterë, zjarrfikës e autoambulanca të angazhuar prej orëve të para të mëngjesit.

Peleshi theksoi se gjysmë orë më parë në Himarë u shënuar një vatër tjetër zjarri. Gjithashtu ai u shpreh se aktualisht nuk ka asnjë dëm në banesa dhe në njerëz. Një tjetër vatër aktive është në fshatin Cukal, njësia administrative Shllak, bashkia Vau Dejës, ku ka rënë zjarr në një sipërfaqe me shkurre dhe pemë të ndryshme. Shërbimi vendor i MZSH Vau Dejës ndodhet në vendngjarje dhe po punohet për shuarjen e flakëve.

Gjithashtu puna po vijon për vënien nën kontroll të zjarrit të rënë në fshatin Qesorat, të njësisë administrative Lunxhëri në bashkinë e Gjirokastrës, ku bashkë me punonjësit e shërbimit të zjarrfikëses së këtij qarku janë bashkuar edhe 20 efektivë të FA.