Një raport i publikuar të martën nga Qendra për Kontrollin dhe Parandalimin e Sëmundjeve (CDC) doli në përfundimin se njerëzit e pavaksinuar kanë pothuajse pesë herë më shumë gjasa të infektohen dhe mbi 29 herë më shumë të shtrohen në spital me Covid-19.

Raporti shqyrtoi 40 mijë raste me COVID në Los Angelos nga 1 majI deri më 25 korrik, kohë kur varianti Delta ishte bërë me dominues.

“Personat e vaksinuar kanë më pak gjasa të kenë forma të rënda të sëmundjes dhe mund të kenë vetëm simptoma të lehta,” tha Sharon Balter, një nga autoret e studimit dhe drejtoreshë e sëmundjeve infektive në Departamentin e Shëndetit Publik të Qarkut Los Angeles, për NBC News.

“Në të njëjtën kohë, për shkak se personat e vaksinuar mund ta marrin Covid dhe mund të kenë simptoma të lehta, ne i inkurajojmë ata të mbajnë maska ​​për të parandaluar përhapjen tek personat e pavaksinuar të cilët mund të sëmuren rëndë,” tha Balter.

Edhe pse varianti delta shtoi ndjeshëm numrin e rasteve pozitive të Covid, studiuesit zbuluan se vaksinat ende ofronin mbrojtje efektive kundër simptomave të rënda.

“Këto të dhëna të shkallës së infeksionit dhe shtrimit në spital tregojnë se vaksinat e autorizuara ishin mbrojtëse kundër infeksionit të rëndë gjatë një periudhe kur transmetimi i variantit Delta ishte në rritje,” thuhej në raport.

Angela Rasmussen tha se gjetjet duken “në përputhje me shumë të dhëna që vijnë: Delta shkakton më shumë raste por vaksinimi zvogëlon format kritike dhe rastet e vdekjes”.