Laçit së shpejti do të jetëzohet me 524 apartamente me standarde të larta ku familjet e mbetura pa shtëpi pas tërmetit të 26 nëntorit 2019 do të kenë banesat e tyre të reja. Kryeministri Edi Rama ka publikuar pamje nga kantieri i rindërtimit në Laç.

“MIRËMËNGJES , dhe me zemrën e rilindur të Laçit, që së shpejti do të jetëzohet me 524 apartamente me standarde të larta, në 13 pallate me 375 vendparkime, 37 njësi shërbimi, qendër tregtare e infrastrukturë krejt të re, ju uroj një ditë të mbarë”, shprehet Rama krahas pamjeve të publikuara.

Zona 1 e lagjes së re në Laç financohet nga qeveria turke, ndërsa zona 2 nga qeveria shqiptare. Zona 1 ka 524 apartamente, 37 njësi shërbimi, 375 vendparkime, qendër tregtare, njësi shërbimi e infrastrukturë sipas standardeve europiane.

Pallatet e reja, spitali i ri, godina e re e bashkisë shkollat dhe mjediset sportive e rekreative që do të ndryshojnë faqen e këtij qyteti bashkë me cilësinë e jetës për 800 familje të prekura nga tërmeti i vitit të shkuar. Ndërkohë në gjithë bashkinë Kurbin ndërtohen nga e para 6 godina arsimore, 4 shkolla dhe 2 kopshte dhe rikonstruktohen 3 të tjera.