Sektori i bujqësisë është ndër sektorët me performancën më të lartë në vitet e fundit, duke u transformuar nga bujqësi e mbijetesës në bujqësinë e sipërmarrjes. Në vitet në vazhdim, synohet që Shqipëria të bëhet lider në rajon në fushën e turizmit, agroturizmit dhe të eksporteve të produkteve bujqësore. Kryeministri Edi Rama publikoi sot pamje nga tokat e bukës në fshatin Klenjë, në Bulqizë. Të dhënat zyrtare tregojnë se eksportet bujqësore, në total janë rritur nga rreth 100 milionë dollarë në 2013-ën në 400 milionë dollarë. Eksportet do shkojnë në mbi 1 miliard dollarë në katër vitet e ardhshme.

Po ashtu, shifrat tregojnë se sot punohet më shumë se dyfishi i tokës bujqësore se 7 vjet më parë, nga 125 mijë hektarë, sot në 235 mijë. Po ashtu, janë shumëfishuar kapacitetet e serave dhe të eksportit. 7 vite më parë kishim raportin import–eksport në produkte bujqësore 7 me 1. Sot ky raport është 3 me 1. Kjo do të thotë që produkti vendas është shumë më i pranishëm në tregun e brendshëm dhe shumë më i gatshëm për t’u eksportuar.