Kryeministri i Shqipërisë Edi Rama ka dhënë një intervistë për gazetën italiane “Il foglio”, në lidhje me ardhjen e refugjatëve afganë në Shqipëri dhe më gjerë.

Rama ka theksuar se për Italinë, mikpritja e tyre është një detyrë, duke shtuar se dhe Shqipëra do t’ia hapë dyert afganëve.

“Historia jonë na e imponon këtë gjë” – ka thënë Rama – “E kemi jetuar luftën dhe kujtesën e saj e kemi të freskët. Nëse Evropa është e dyzuar edhe për Afganistanin, është sepse s’e mbajnë mend historinë”.

Më tej kryeministri ka theksuar se mirëpritja e refugjatëve është një detyrim për Shqipërinë.

“Nuk i jap leksione askujt. Aq më pak Italisë, ndaj së cilës jam shumë i lidhur. Por, po them se pritja e refugjatëve është detyrim i yni. Unë mbaj mend Millosheviçin, mbaj mend luftën, refugjatët, vdekjen torturat. Ishim ne afganët dikur, për ju italianët”, tha Rama.

Më tej Kreu i Qeverisë ka nënvizuar se pritet të vijnë rreth 2-3 mijë afganë në Shqipëri.