Pelikani kaçurrel është parë sot duke shijuar ujin në Liqenin e Shkodrës.

Administrata e Zonave te Mbrojtura Shkodër ka postuar pamje të Pelikanit kaçurrel në Liqenin e Shkodrës. Nga specialistët e mjedisit në këtë zonë janë vërejtur mjaft specie të rikthyera duke e populluar atë. Një ndër të rrallët është edhe Pelikani Kaçurrel, një nga speciet e pakta në Evropë që deri tani ka shfrytëzuar si strehën e tij të fundit Lagunën e Karavastasë.
Pelikani Kaçurrel (Pelecanus crispus) është shpend fluturues, folebërës nga familja e pelikanëve dhe popullata më e madhe e këtij lloji të pelikanëve gjendet në lagunën e Karavastasë .

Pelikani kaçurrel në pjesën e pasme ka pendë kaçurrela, qesja e fytit është me ngjyrë portokalli, këmbët gri e errët, ndërsa gjoksi është i bardhë, ndërsa në majat e krahëve ka pak pendë të zeza. Gjatësia e trupit është rreth 180 cm, ndërsa hapja e krahëve rreth tri metra.