Analisti politik, Skënder Minxhozi tha se Partia Demokratike nuk mund të mbajë dy standarde sa i takon qëndrimeve të Departamentit Amerikan të Shtetit.

Sipas tij retorika e PD-së në Parlament ka për të qenë e vështirë, duke qenë se nga njëra anë opozita duhet të konfirmojë qëndrimet e saj pro-amerikane ndërsa nga ana tjetër ka si deputet një person që ka hedhur në gjyq sekretarin e DASH.

Minxhozi tha se është e papranueshme që njëherë t’i konsiderojmë mesazhet e SHBA-së si faktor stabiliteti dhe njëherë si akuza tendencioze. Opozita ngulmonte që Tom Doshi, si pjesë e “listës së zezë” në Amerikë, të linte politikën prandaj sipas tij i njëjti qëndrim duhet mbajtur edhe për Sali Berishën.

“Identifikimi i interesit personal të z. Berisha me interesat e mëdha të gjithë opozitës mendoj se është problemi kryesor që ka sot Partia Demokratike,” – u shpreh analisti në Euronews Albania.

Sipas tij reagimi i Berishës ishte i pritshëm duke marrë parasysh profilin e tij politik.

Departamenti Amerikan i Shtetit e shpalli ish-kryeministrin Sali Berisha person “non grata” më 19 maj me argumentin se ka kryer akte korruptive që cenojnë demokracinë në Shqipëri.

Berisha njoftoi të enjten se avokati i tij ka depozituar në Gjykatën Korreksionale të Parisit padinë për shpifje ndaj Sekretarit të Shtetit Antony Blinken.