Drejtuesit e agjensive kryesore të OKB -së i bënë thirrje sot bashkësisë ndërkombëtare që të sigurojë mbështetje financiare për operacionet e ndihmës humanitare në Afganistan. “Populli afgan ka nevojë për mbështetjen tonë më shumë se kurrë. Organizatat tona janë të përkushtuara për t’i ndihmuar dhe mbrojtur ata. Ne do të qëndrojmë në Afganistan dhe do t’i mbajmë premtimet tona”, shkruan ato në deklaratën e tyre.

OKB u bëri thirrje donatorëve të rrisin përpjekjet e tyre financiare: nevojiten gjithsej 1,3 miliardë dollarë (1,1 miliardë euro) për të ndihmuar gati 16 milionë persona në Afganistan, por vetëm 37 për qind e fondeve të kërkuara janë marrë. Organizatat e Kombeve të Bashkuara u kërkojnë, gjithashtu, talebanëve që të sigurojnë “qasje të sigurt, të shpejtë dhe të papenguar për punonjësit e dhënies së ndihmës, si burra ashtu edhe gra, në mënyrë që ata të mund të japin ndihmë për civilët në nevojë, kudo që ndodhen”.