Talebanë po japin sot konferencën e parë për shtyp, dy ditë pasi morën në kontroll të plotë Afganistanin. Zëdhënësi i talebanëve Zabihullah Mujahid, i pyetur në lidhje me të drejtat e grave, tha se “ne do t’i lejojmë gratë të punojnë dhe studiojnë brenda kornizave“. “Gratë do të jenë shumë aktive brenda shoqërisë sonë, brenda kornizës sonë“, thotë ai. “Media nuk duhet të punojë kundër nesh!” “Ne jemi të përkushtuar ndaj medieve brenda kornizës sonë kulturore”, thotë Mujahid. “Asgjë nuk duhet të jetë kundër vlerave islame kur bëhet fjalë për aktivitetet e medieve“, shton ai. “Ju në media duhet t’i kushtoni vëmendje mangësive tona në mënyrë që t’i shërbejmë kombit! Por media nuk duhet të punojë kundër nesh“, thotë ai. “Ata duhet të punojnë për unitetin e kombit“.

“Duhej të hynim në Kabul!” “Ne nuk duam të shohim kaos në Kabul“, tha më tej zëdhënësi i talebanëve. “Plani ynë ishte të ndalenim te portat e Kabulit në mënyrë që procesi i tranzicionit të përfundonte pa probleme. Por për fat të keq, qeveria e mëparshme ishte aq e paaftë … forcat e tyre të sigurisë nuk mund të bënin asgjë për të siguruar sigurinë. Ne duhej të bënim diçka. Ne duhej të hynim në Kabul për të siguruar sigurinë e banorëve”, shprehet Mujahid. “Ne nuk duam asnjë armik!” “Ne duam të sigurohemi që Afganistani nuk është më një fushë beteje konflikti“, thotë zëdhënësi.

“I kemi falur të gjithë ata që kanë luftuar kundër nesh. Armiqësive u ka ardhur fundi. Ne nuk duam asnjë armik të jashtëm apo të brendshëm“, shton zëdhënësi Zabihullah Mujahid.

“Ky është një moment krenarie!” Zëdhënësi Zabihullah Mujahid, i cili po shfaqet para kamerave për herë të parë thotë se “pas 20 vitesh luftë ne kemi emancipuar [vendin] dhe dëbuar të huajt“. “Ky është një moment krenar për të gjithë kombin“, thotë ai.