Nis Samiti “Platforma e Krimesë”, Shqipëria pjesë e 44 vendeve mbështetëse të kësaj platforme. Është ministrja e Shtetit për Marrëdhënien me Parlamentin, Elisa Spiropali, ajo që përfaqëson Shqipërinë në këtë Samit.

Përmes një statusi në rrjetin social facebook, ministrja Spiropali ka ndarë momentet nga ceromonia zyrtare e nisjes së samitit, ku është pritur nga ministri i Punëve të Jashtme të Ukrainës, Dmytro Kuleba.

“Më 23 gusht, 44 vende dhe organizata ndërkombëtare, përfshirë 14 krerë shtetesh, qeverish dhe Bashkimi Evropian (BE), do të bëhen themeluesit e Platformës së Krimesë, në samitin përurues të kësaj Platforme”, sipas ministrit të Punëve të Jashtme të Ukrainës, Dmytro Kuleba.

Samiti i Platformës së Krimesë po mbahet në Kiev, me qëllim për ta bërë Krimenë e aneksuar ilegalisht nga Rusia pjesë të agjendës ndërkombëtare.

Në kuadër të platformës në fjalë, e cila do të përbëhet nga katër nivele si krerë shtetesh, ministrash të jashtëm, parlamentarë dhe ekspertë, do të mbahen gjithashtu katër panele me tema të ndryshme, si: mosnjohja e aneksimit të Krimesë, armatosja e rajoneve Azov dhe Detit të Zi, ri-integrimi i Krimesë dhe kompensimi për të drejtat e turqve tartarë të Krimesë.