Kryeministri Edi Rama mëngjesin e sotëm, i shoqëruar nga Ministri i Rindërtimit, Arben Ahmetaj dhe Ministria e Arsimit Evis Kushi, ka vizituar shkollën 9-vjeçare “Gjon Luka” në Luz të Fush Krujës. Brenda ambienteve të shkollës së re, e cila do të presë 160 nxënës në shtator ministria Kushi foli lidhur me kushtet, kurrikulën dhe trajnimet e specializuara të mësuesve risitë e këtij viti.

“Këtë vit risi do te jetë edhe gjuha angleze që në klasën e parë, programet janë përgatitur, kurrikulat edhe mësuesit janë trajnuar”, tha ministrja e arsimit. Ajo gjatë fjalës së saj theksoi se janë afërsisht 182 mijë nxënës që përfitojnë tekste shkollore falas, mes të cilëve këtë vit do të shtohen edhe ata të klasës 8-të dhe 9-të.

“Ndërkohë tekste falas do të përfitojnë edhe klasat e 8-ta dhe të 9-ta. 182 mijë nxënës në të gjithë Shqipërinë që do të përfitojnë tekste falas.”, shtoi ajo.

Kushi tha se nga klasa e parë në të tretë, librat do të përdoren një herë dhe më pas do t’i jepen brezave pasardhës.

“Klasa e parë deri në të tretë librat do të përdoren vetëm për një vit dhe do të kalohen te brezi i ardhshëm. Kjo nuk është vetëm për të kursyer para por edhe për t’i edukuar fëmijët.”, tha ajo.

Lidhur me këtë u shpreh edhe kryeministri i cili tha se një gjë e tillë praktikohet edhe Francë e Suedi.

“Librat që kalojnë nga dora në dorën tjetër janë dhe në Francë edhe në Suedi”, tha Rama.

Viti i ri i shkollor do të nisë më 27 shtator, vendim i cili erdhi për të zgjatur periudhën e mësimit plotësues, si pasojë e COVID-19.