Në kuadër të garantimit të sigurisë rrugore, Policia Rrugore e Tiranës vijon monitorimin e qarkullimit me radarë e alkooltestues në rrugën interurbane Tiranë-Elbasan-Tiranë dhe në orët e mbrëmjes në aksin Sauk-Teg për të parandaluar shpejtësinë tej normave të lejuara dhe drejtimin e mjetit nën efektin e alkoolit apo më keq akoma në gjendje të dehur.

Lajmi bëhet i ditur nga Policia e Shteti, e cila informon se “prej orës 19:00 deri në orën 24:00, si rezultat i monitorimit me radar në aksin Sauk-Teg konkretisht në Mjullbathore, Policia Rrugore e Tiranës konstatoi 8 raste të shpejtësisë tej normave të lejuara, shpejtësi që varionte deri në 163 km/h. Policia Rrugore u pezulloi drejtuesve të automjeteve lejen e drejtimit nga 2 deri në 6 muaj dhe masë administrative nga 10.000 deri në 26.000 lekë të rinj, si dhe zbritje nga 3 deri në 6 pikë nga leja e drejtimit”.

Po ashtu, nga Policia Rrugore u konstatuan dhe 10 raste me shpejtësi nga 115 km/h deri në 127 km/h, ku drejtuesit e mjeteve u ndëshkuan me masë administrative 6.000 lekë deri në 12.000 lekë të rinj secili.Nga monitorimi me alkooltestues në të gjitha rrugët e Tiranës, janë evidentuar dhe arrestuar në kushtetet e flagrancës 3 drejtues mjetesh në gjendje të dehur dhe 1 që drejtonte mjetin pa leje drejtimi. Janë pezulluar 8 leje drejtimi për drejtim mjeti nën efektin e alkoolit , si dhe janë vendosur 17 masa administrative me vlerë nga nga 5.000 lekë deri në 15.000 lekë të rinj për drejtim mjeti nën ndikimin e alkoolit.

Policia e Shtetit apelon për zbatim me rigorozitet të rregullave të qarkullimit rrugor, pasi të gjitha rrugët nacionale dhe urbane në të gjithë vendin janë të monitoruara me patrulla të lëvizshme të Policisë Rrugore duke përdorur radarë, dragera, dronë, makina të paloguara, kamera e aparate fotografike.