Shqipëria dhe Hungaria synojnë zgjerimin e bashkëpunimit në fushën e bujqësisë midis dy vendeve, me fokus arsimin e lartë dhe transferimin e teknologjive inovative në këtë sektor. Ministrja e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural, Milva Ekonomi gjatë punimeve të Para Samitit të Sistemeve të Ushqimit, që u zhvillua ditët e fundit në Romë, pati rastin të takonte me ministrin hungarez të Bujqësisë, István Nagy.

Ekonomi tha se, “bashkëpunimi midis dy vendeve në fushën e bujqësisë ishte tema kryesore e diskutimit”. Ndërsa theksoi se me homologun hungarez të Bujqësisë István Nagy, “ramë dakort edhe në disa hapa konkret që lidhen me arsimin e lartë dhe transferimin e teknologjive”.

Gjithashtu vijoi Ekonomi, ndamë edhe ide që lidhen më përfshirjen e të rinjve në pjesën digjitale të sektorit. Nga ana e tij ministri Nagy shprehu gatishmërinë për realizimin e një bashkëpunimi midis Universitetit Bujqësor të Tiranës dhe atij të Budapestit.