Tiranë, 26 Gusht – Nisur nga rritja e numrit të pacientëve të prekur me COVID-19 në Spitalin Infektiv, Ministria e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale po përgatitet për ta rihapur spitalin Covid 3, sipas planit të përballimit të vjeshtë-dimrit, nëse do të jetë e nevojshme. Deklarata u bë nga Ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, Ogerta Manastirliu, e cila pa nga afër përgatitjet që po bëhen në spitalin Covid 3, duke theksuar se do të angazhihen sërish stafet mjekësore përforcuese, të cilat tashmë janë të përgatitura pas eksperiencës së tyre të mëparshme. “Ne jemi duke u përgatitur që në rast se do të vijojmë të kemi më shumë raste që do të kërkojnë shërbim spitalor, jemi tashmë gati. Ashtu sikurse është bërë në planin tonë të vjeshtë-dimrit të hapim struktura të reja dhe të rihapim në fakt Covid3, sipas pavioneve të caktuara, siç e kemi vendosur edhe të marrim stafet paraprake, ata të cilët do të shërbejnë, të cilët praktikisht janë gati sepse kanë shërbyer më parë në këtë struktura”, bëri me dije Manastirliu.

Duke folur për gjendjen e të shtruarve në spitale, Manastirliu tha se 95% e tyre janë të pavaksinuar, duke u bërë thirrje edhe familjarëve për të nxitur sa më shumë të afërmit e tyre për t’u vaksinuar. “Takova pak më parë motrën e një vajze të shtruar në Infektiv, e cila ishte vaksinuar, ndërsa motra jo dhe për fat të keq është në spital. Janë rreth 95% e pacientëve që janë të pavaksinuar, por që këtu tani luajnë shumë rol edhe familjarët. Nëse kanë dijeni që një i afërm i tyre nuk e ka bërë ende vaksinën duhet të luajmë rol të gjithë për të nxitur sa më shumë në bërjen e vaksinës, sepse simptoman e virusit edhe kur të zë janë më të lehta”, tha Manastirliu. Ndërkohë shefja e Shërbimit Infektiv, prof. Najada Çomo tha: “Numri i pacientëve të shtruar në spitalin Covid 1 ka ardhur duke u shtuar nga fund korriku deri tani, në ditët e fundit të gushtit. Ajo që vihet re është që kemi grupmosha të ndryshme, ku veçohen dhe moshat 20 vjeç e lart, pra moshat e reja. Natyrisht që pjesa më e madhe e pacientëve të shtruar janë të pavaksinuar, pra mbizotërojnë të pavaksinuarit”.

Gjatë inspektimit të përgatitjeve që po bëhen për hapjen e spitalit Covid 3 në rast se do të nevojitet, Manastirliu ka bërë një apel për të gjithë qytetarët +18 vjeç për t’u vaksinuar, sidomos studentëve të cilët së shpejti do të rikthehen në auditore. “Ka edhe një angazhim shumë të madh të gjithë strukturave të shëndetit publik për të vajtur tek çdo qytetar, i cili ende nuk e ka kryer vaksinën dhe që është kategori risku. Por mbi të gjitha edhe për të rritur mbulesën vaksinale tek të rinjtë. Ndaj edhe shtatori është sërish muaj i hapur për të vijuar vaksinimin +18 vjeç, për të vijuar vaksinimin sidomos me studentët të cilët do të jenë në auditore dhe që është shumë e nevojshme vaksinimi i tyre, në mënyrë që të ulim infektueshmërinë, por mbi të gjitha të ulim edhe problematikat e shëndetit që sjell virusi”, ka apeluar Manastirliu.