Rreth 78 mjekë të rinj, të specializuar në fusha të ndryshme janë punësuar gjatë këtij viti në spitalet universitare, rajonale dhe bashkiake pas procesit të përzgjedhjes së vendeve, me përfundimin e ciklit 4-vjeçar të specializimeve në Mjekësi.

Ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, Ogerta Manastirliu solli shembullin e dr. Freskida Pasho, mjeke neurologe, e cila është një prej mjekeve specialiste që i është bashkuar ekipit të Spitalit Rajonal të Gjirokastrës.

“78 mjekët e rinj specialistë që janë punësuar gjatë këtij viti në spitalet universitare, rajonale dhe bashkiake, kanë përforcuar shërbimin e specializuar, afër vendbanimit”, – tha Manastirliu. Mjekët e rinj janë punësuar në Spitalin Memorial Fier, Spitalin Rajonal Durrës, Dibër, Gjirokastër, Shkodër, Vlorë, Kukës, Korçë, Lezhë dhe në spitalet bashkiake Pogradec, Mirditë, Sarandë.

Që prej rifillimit të specializimeve në Mjekësi në vitin 2014, më shumë se 200 mjekë specialistë me kontratë me MSHMS janë punësuar në spitalet rajonale dhe bashkiake në vend.